Untitled Document
1header2-al

Menu

SHKPKK
  Misioni
  Vizioni
  Objektivat
  Strukturat
  Aktivitete
     
   
Publikime
  Kurora e Gjelber
  Raporte
  PZHBN
Kontakte
  E-mail & Telefon
   
Opinione * e re
   

links te institucioneve te rendesishem

Webmail
Hartat pyjore te komunave dhe fshatrave
  Capacity Building Database

Përse duhen privatizuar pyjet - Haki Kola

Përfaqësuesit e administratës së shtetit e kundërshtojnë privatizimin e pyjeve. Argumenti i tyre është padija e fshatarëve për të administruar pyllin si dhe frika që nëse e marrin pyllin ata e presin dhe shkatërrojnë atë. Partitë politike shqiptare, megjithëse janë me dhjetëra nga e majta në të djathtë, e kanë tabu të paprekshme termin privatizim për pyjet. Kanë kaluar 15 vjet nga fillimi i privatizimit të tokës bujqësore, janë bërë disa ture zgjedhjesh, prezantuar programe nga më të ndryshmet dhe kurrë nuk është shtruar si alternativë mundësia e një reforme të thellë me objektiv shkëputjen e pyjeve nga regjimi i vjetër si nga pronësia ashtu edhe administrimi. Banorët e zonave rurale e kanë shfrytëzuar këtë situatë anarkie për të marrë çfarë të mundin në garë me firmat private dhe prerësit e tjerë të pyjeve. Të gjitha qeveritë kanë shpalosur dëshirë e vullnet për të prodhuar strategji e për të programuar reforma, të përdorura këto si një dritë e largët në fund të tunelit se një ditë shkatërrimi do të ndalet. Opinioni publik është ushqyer si nga mediat e shkruara apo ato vizive me idenë se janë banorët e zonave rurale ata që i presin dhe shkatërrojnë pyjet. Ky është pothuajse opinioni mbizotërues si në institucionet e ekzekutivit, ligjvënësit e deri në shoqërinë civile apo institucionet akademike shkencore. Një opinion i tillë është krijuar nga fakti i vënë në dukje në mënyra të ndryshme që, banorët e zonave rurale e presin pyllin pa leje për dru zjarri, e mbikullosin dhe e djegin atë, duke i justifikuar ndonjëherë se këtë e bëjnë nga varfëria. Sipas kësaj logjike fajësohen lurasit se prenë Lurën, kuksianët, mirditorët, pukianët e martaneshasit, malësitë e Pogradecit e të Korçës se prenë e shkatërruan malet e tyre gjatë tranzicionit të gjatë.

Shtetarët shiten si tepër të shqetësuar dhe brenda 15 vjetësh kanë prodhuar një duzinë ligjesh e strategjish për pyjet, kullotat, kafshët e egra dhe bimët mjekësore, duke demonstruar merakun e madh për të gjetur ilaçin e shpëtimit. Pothuajse në asnjë nga këto dokumente të përgatitura e të servirura për opinionin publik, nuk përmendet termi ‘privatizim i pyjeve‘. Argumenti është i qartë: Si t‘ua japim pyjet e kullotat atyre që bëjnë gjithë këtë shkatërrim, duke i terrorizuar ndonjëherë zërat pse pylli shpëton nëse privatizohet. Është e vështirë të dallosh nëse kjo djallëzi e shtetit vjen nga trashëgimia otomane komuniste apo nga interesat e shtetit për të qenë pronar dhe për të qerasur ndonjëherë miqtë me të mirat që këto pasuri akoma vazhdojnë të ofrojnë. Si shoqëria civile, ashtu edhe mediat herë pas here belbëzojnë apo edhe bërtasin se pyjet po shkatërrohen, gjendja bëhet si më e tensionuar në zjarret e pafundme që djegin vendin mbarë në stinët e nxehta, dhe shija që mbetet është ankesat e zyrtarëve për fshatarët që shkatërrojnë. Kjo është bërë një melodi që pothuaj dominon, dhe askush nuk është ndaluar të thellohet se sa i vërtetë është ky opinion, që komuniteti është "djalli" shkatërrues dhe shteti viktimë që po shkallëzon masat për mbrojtje. Nëse kjo pranohet apriori si e vërtetë askush nuk është thelluar të gjejë shkaqet, përse te jetë kaq i keq populli dhe si mund ta shërojmë nga kjo sëmundje. Është e vërtetë që fshatari jeton afër pyllit dhe nuk mund të mohojë akuzat, që krahas tokës së tij bujqësore, ai është i detyruar të përdorë edhe pyllin e kullotën e tij, që legalisht janë të shtetit (pasi i duhet druri për zjarr, i duhet edhe për ndërtim dhe bazë ushqimore), ka nevoje të mbledhë edhe bime mjekësore për t‘i shitur e kështu me radhë. Duke kujtuar se këto i ka bërë, fshatari nuk ndjehet në këtë lume akuzash. Çudia në këtë mes është që kurrë nuk e kemi akuzuar fshatarin si shkatërrues të blegtorisë apo të bujqësisë, nuk kemi dëgjuar t‘i vihet zjarr një are me grurë apo të priten ilegalisht pemët e dikujt.

Duke qenë i bindur se e bënte më mirë, shteti komunist i mori fshatarit si tokën bujqësore, ashtu edhe gjënë e gjallë, dhe provoi dhunshëm t‘i bënte siç dinte përreth një gjysmë shekulli, duke krijuar gjeneratën e radhës së qumështit çdo ditë në orën 4 të mëngjesit, apo të pesë vezëve dhe nuk e di sa gramë mish e djathë në javë për një familje! Ishte edhe ky dështim i paparë ekonomik që ai regjim mbi pronën dha shpirt. Shteti i mundur, në nxitim sipër dorëzoi blegtorinë dhe tokën e bukës në rrëmujën e tranzicionit, duke e reklamuar këtë si reformën më të madhe demokratike të tokës. Të gjithë e pranojmë se shteti u dorëzoi fshatarëve pjesën me të vlefshme të tokës, atë që mund të kultivoje bimë, si dhe të mbarështojë blegtorinë. Asnjëri nuk u kujtua atëherë se malësorët e kishin të pakët tokën e bukës, pasi mali rrit më mirë pyllin e kullotën. Të entuziazmuar se u bënë pronarë, fshatarët e justifikuan, duke bërë që shumë shpejt tregu të furnizohet dhe të harrohej radha për produktet më jetësore. Ne kemi filluar tani një radhë të re në mbarë vendin, atë të ujit, dritave e të druve të zjarrit, pasi burimet e tyre shteti tinëzisht i mbajti duke pretenduar se është më i zotë se komuniteti.

Opinioni e pranon faktin se bujqësia është një resurs shumë i rëndësishëm kombëtar, që vuan për mungesën e politikave mbështetëse, por është e padiskutueshme qe tregu dhe nevojat e njerëzve plotësohen shumë më mirë tani se atëherë kur ky aktivitet komandohej nga shteti. Nëse pranojmë se fshatari nuk e shkatërron arën me grurë të fqinjit dhe as plantacionin me pemë apo tufën me dele, shtrohet pyetja: Përse e diferencon dhe e shkatërron pyllin. Përgjigjja duket se lidhet me faktin që të parat sot kanë zot, ndërsa pylli e kullota janë mall pa zot. Atje ku fshatarët i kanë dalë për zot pyllit, qoftë edhe në formë ilegale, si në Mat, Bulqizë, Dibër, Has, Mirditë e Malësi e Madhe, pylli po vjen përsëri. Administrimi i tokës bujqësore, i pemëve frutore, serave, perimeve përbën teknologji më të komplikuar sesa rritja e pyllit. Fshatari pret që të shpërblehet me politika më të mira për zhvillimin e bujqësisë. Por ai ka demonstruar se është mik i tokës dhe bimëve. Që të shpëtojë pylli e kullota, që të shpëtojmë nga zjarret, prerjet shkatërrimet dhe erozioni, duhet të thellojmë reformën e filluar të tokës dhe t‘i besojmë fshatarit atë që dikur ishte pyll e sot është tokë e degraduar. Deklaratat mediatike se "po i japim pyjet komunës" janë të pamjaftueshme kur nuk shoqërohen me rregulla të qarta të lojës. Faza eksperimentale e administrimit të pyjeve nga fshatarët e ka kaluar 10-vjeçarin. Reforma e tokës është realizuar vetëm në një të pestën e sipërfaqes së vendit. Pjesa tjetër pret të hyjë në rrugën e demokracisë që pretendojmë se po ecim. Çdo vonesë shton degradimin e tokës dhe tendencën drejt shkretimit.