KRIZA MJEDISORE DHE SFIDAT E SE ARDHMES
Haki Kola
Nga inventarizimet e fundit rezulton që, burimet natyrore, si pyjet e kullotat, zënë mbi 60% të territorit shqiptar dhe janë burim shumë i rëndësishëm jetese për zonat malore. Ky burim pothuajse është i neglizhuar në rolin aktual që luan, në mënyrë informale, te të ardhurat kombëtare. Pak njihen nga shoqëria e akoma më pak reflektohen nga mediat funksionet ekologjike të burimeve natyrore apo përfitimet e shumta mjedisore dhe social-ekonomike që i ofrojnë shoqërisë. Në heshtje është kaluar, si nga media, ashtu edhe nga politika, kriza e rëndë mjedisore që kalon vendi, apo reduktimi i aftësisë së burimeve natyrore për t‘i ofruar këto shërbime dhe përfitime për shoqërinë mbi një bazë të qëndrueshme.
Kriza aktuale mjedisore karakterizohet nga shkatërrimi dhe degradimi masiv i pyjeve, kullotave e shtretërve të lumenjve, si dhe nga shtimi i ritmeve të erozionit të tokës. Duket se kjo krizë mjedisore është tregues i vjetrimit të paradigmave tradicionalë. Kjo e bën më se të nevojshëm zëvendësimin e tyre me paradigma të reja, si instrumente për të përballuar sfidat dhe krizën aktuale mjedisore. Në pylltari dhe menaxhimin e burimeve natyrore, ky model i ri përfaqësohet nga paradigma e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve. Kjo paradigmë nënkupton një ndryshim në mënyrën që pylltarët profesionistë, tradicionalistë, shohin, mendojnë ose veprojnë në lidhje me pyjet, burimet natyrore dhe mjedisin. Kjo kërkon jo vetëm ndryshime në politika e programe, por edhe në qasjet e aftësive të institucioneve dhe të individëve të përfshirë në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve.
Pyjet, kullotat dhe mjedisi, me gjithë problemet e tejskajshme që kanë, duket se janë përdorur nga politika, si resto apo dhuratë pajtimi. Kjo ka bërë që institucionet të paguajnë haraç e të ndodhen në pritje se kujt do t‘i takojnë më tej. Në fakt, përballë kësaj krize, çdo institucion që merr përsipër menaxhimin e burimeve natyrore duhet jetë relevant dhe efektiv; ai duhet të jetë në gjendje ta bëjë të vetën paradigmën e re të menaxhimit të qëndrueshëm. E kjo e bën të domosdoshëm ripërtëritjen e programeve dhe proceseve, në përputhje me kërkesat dhe sfidat e mbarështrimit të qëndrueshëm.
Kjo nuk mund të realizohet, duke u mohuar malësorëve atë marrëdhënie me vendin e tyre, që e kanë ushtruar në shekuj. Mbarështrimi i qëndrueshëm është sistem që ka si qëllim të plotësojë nevojat e shoqërisë për të mira materiale dhe shërbime, nëpërmjet aplikimit të parimeve ekologjike e sociale, duke adoptuar metoda të kujdesshme e racionale shfrytëzimi, që mundësojnë ripërtëritje dhe zhvillim të burimeve natyrore, pa degradim apo cenim të kapacitetit të burimeve natyrore për të siguruar në vazhdimësi këto shërbime.
Në këtë krizë të thellë, por edhe përballë sfidave të zhvillimit të ardhshëm, do të ishte e arsyeshme që rolin drejtues ta merrnin institucionet arsimore edukative. Në përgjithësi, nga natyra e tij, arsimi pyjor duhet të jetë në gjendje të këshillojë ndryshimet e sjelljes në termat e dijeve, qëndrimeve, vlerave dhe aftësive të kërkuara, për të realizuar mbarështrim të qëndrueshëm. Këto ndryshime të dëshiruara të sjelljes mund të arrihen nëpërmjet arsimit pyjor formal e joformal. Janë tri përqasje që arsimi pyjor shqiptar nuk po u krijon hapësira, e për pasojë, këtë boshllëk po e mbushin donatorët ndërkombëtarë, duke bashkëvepruar me shoqërinë civile dhe komunitetet malore.
Përgjithësisht, si media e shkruar, edhe ajo vizive, dëshmojnë ndjeshmëri të ulët të publikut përballë krizës mjedisore. Drejtuesit e shtetit detyrohen që, për fjalimet publike të përgatisin sfonde të gjelbra artificiale, që i transportojnë me mjete të posaçme që nga Tirana, si për të manipuluar ndjeshmërinë fare të ulët të publikut. Pa atë maskë, sfondi i politikanit modern do të rezultonte pluhur, tym, gërryerje ose beton.
Për shkollat pyjore, avokatia deri më tani mbetet pothuaj një term i panjohur. Avokatia apo roli i edukimit me njohuri për burimet natyrore, ka për qëllim pikërisht ndërgjegjësimin e publikut. Avokatia synon të rrisë interesin dhe vlerësimin e publikut për të njohur e mbështetur politikat, programet dhe strategjitë për menaxhimin e qëndrueshëm, nëpërmjet një plani të përgatitur sistematikisht e të zbatuar në mënyrë agresive. Për të qenë efektiv, programet e avokatisë duhet të përgatiten për t‘iu përgjigjur nevojave apo sjelljeve aktuale mjedisore lidhur me mbarështrimin e qëndrueshëm.
Nëpërmjet hulumtimeve dhe kërkimeve, arsimi pyjor prodhon burimet njerëzore të duhura për mbarështrimin e qëndrueshëm. Aktualisht, njohuritë shkencore bazë përfshijnë vetëm aspektet biofizike e teknike. Gjuha dhe interpretimi janë, në të shumtën e rasteve, të importuara, shpesh të vjetra, dhe bëjnë kontrast me veçoritë apo traditat mesdhetare të vendit. Traditat historike të përdorimit të territorit, nënvlerësohen dhe përjashtohen si pasuri e trashëgimi kombëtare. Po kështu, mbetet akoma tabu historia e të drejtave të përdorimit apo të pronësisë mbi pyllin dhe kullotën. Terminologjia që përdoret është shumë larg termave të jetës së përditshme e të marrëdhënieve të popullatës me natyrën. Është me shumë rëndësi që ata të pranojnë dhe të përfshijnë edhe dimensionet sociale e humane, për të njohur e menaxhuar më mirë marrëdhëniet e shoqërisë me natyrën.
Përqasja e tretë, e cila mbetet jashtë kurrikulave, edhe pasi Shqipëria ka arritur një përvojë rreth 15-vjeçare me pylltarinë sociale, është ndërtimi i kapaciteteve. Nëpërmjet këtij roli, arsimi pyjor prodhon burimet njerëzore të nevojshme për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe kullotave. Përmes arsimit formal, pylltarët profesionistë përfitojnë kompetencat bazë (njohuritë, qëndrimet, vlerat dhe aftësitë) që kërkohen për të realizuar qëndrueshmëri. Nëpërmjet arsimit apo edukimit joformal (trajnimeve apo kualifikimeve), kapacitetet ekzistuese të pylltarëve profesionistë mund të rigjallërohen, ashtu si edhe shumë sjellje të trashëguara nga ideologjia e shtetit komunist pronar mund të zëvendësohen. Zhvillimi i kurrikulave dhe ndryshimet e realizuara përbëjnë një strategji, e cila mund të garantojë që arsimi pyjor të realizojë me efektivitet ndërtimin e kapaciteteve lidhur me nevojat për mbarështrim të qëndrueshëm.
Fleksibiliteti dhe zgjerimi i tematikave kërkimore, si për diplomat, ashtu edhe për mikrotezat apo tezat për doktoraturat, e bën të domosdoshme praninë e nënprogrameve që pasqyrojnë lidhjet e pylltarisë me shoqërinë, traditat e mjedisin, apo lidhjet e pylltarisë me zbutjen e varfërisë, zhvillimin e turizmit etj. Pa mohuar fillimet, do të ishte e arsyeshme të kishte përfshirje më të madhe në programet kërkimore të temave për ruajtjen e biodiversitetit, pylltarinë mjedisore, duke përfshirë edhe ndryshimet klimatike apo potencialet në shtimin e rolit të pylltarisë në fiksimin e gazit karbonik, teknikat e rehabilitimit të tokave të abandonuara e të degraduara, e drejta tradicionale për tokën pyjore e kullotën, pylltaria urbane, pylltaria e bazuar te komuniteti, agro-pylltaria e silvo-pastoralizmi, analiza e politikave pyjore dhe ndikimi te degradimi i ekosistemve (p.sh. të Jugut të Shqipërisë), roli dhe organizmi i shërbimit këshillimor etj. Kjo jo vetëm që do mundësonte fillimin e menaxhimit të qëndrueshëm, por do ta bënte shkollën shqiptare akoma më të kërkuar dhe do t‘i rriste asaj kredibilitetin.Komento