(Per debat te hapur publik, nxitur nga shkrimi i profesorEve te Fakultetit te Pyjeve Tirane)
JA KU JEMI
Vendbanimet në Shqipëri, qysh në mesjetë, kishin arritur një stabilitet dhe kishin kufij të përcaktuar mire për ndarjen e një fshati nga të tjerët. Kufijtë shënoheshin me gurë të mëdhenj të ngulur në tokë, me grumbuj plisash, me rrjedhën e përrenjve e të lumenjve, me shenja në trungjet e drurëve, atje ku kishte pyll, etj. Lëvizja e këtyre shenjave konsiderohej një faj shumë i rëndë. Çdo fshatar i njihte mirë kufijtë e fshatit të vet dhe mund t'i tregonte me lehtësi, duke përmendur toponimet përkatëse.
Përbrenda kufijve të fshatit përfshiheshin trojet e banesave e përqark tyre oborret e kopshtijet, pastaj vinin arat ose tokat e punuara dhe më tej kullotat dhe pjesa e malit apo e pyllit që i përkiste fshatit. Kjo ndarje e territoreve të fshatit, në shumë zona të Shqipërisë, sidomos atje ku mbizotëronte fshatarësia e lire, ruhej ende mjaft mirë deri në vitet e Luftës së Parë Botërore.
Ajo qe ia vlen të theksohet është se në shumë krahina si Mirditë, Has, Tropojë, Kukës, Peshkopi, Mat, Pukë, Bulqizë, Librazhd, Elbasan, Korçë, akoma të moshuarit i mbajnë mend shumë kufij jo vetëm të fshatit, por dhe te pyjeve te perdorura tradicionalisht dhe merave kolektive. Pronë plotësisht private, të cilën fshatari e dispononte krejtësisht, ishin trojet e banesave dhe kopshtijet, kurse tokat e mbjella ishin në disponim të tij, deri sa ishin nën kulturë. Pasi mblidhej prodhimi bujqësor, tokat liroheshin dhe kushdo mund të lëshonte bagëtinë për t'i kullotur. Të tjera prona që shfrytëzoheshin së bashku, pra fshatçe, ishin tokat djerrë në vërri, kullotat e mali dhe sidomos burimet ujore për ujitjen e tokave të mbjella. Ujitja bëhej sipas një rradhe rreptësisht të caktuar për çdo familje.
Nga përllogaritjet e historianëve është konstatuar se në në Shqipëri në shek.XV, mesatarja e shtëpive për çdo fshat ishte 21. Mesataren më të lartë e kishte rrethi i Elbasanit me 38 shtëpi, i ndjekur nga rrethi i Korçës me 28 shtëpi për fshat. Deri në çerekun e parë të shek.XX, rreth 80% e popullsisë punonte e jetonte në fshatra shumica e të cilëve kishte nga 20 shtëpi afërsisht. 3% e fshatrave kishin mbi 1000 banorë. Në 50-60 vitet e fundit, përqindja e popullsisë fshatare ndaj popullsisë së përgjithshme, ra në 64%, megjithëse qeveria e kohës synonte që fshati të mos braktisej. Pas vitit 1990 ndryshimet ndodhën të shpejta, por përsëri popullsia në fshat është ende e lartë. Në vitin 2009 psh, në qarkun e Dibrës ka 45,757 familje me 193,752 banorë.
Numri i popullsisë në qytet, edhe pse kanë ndodhur lëvizje të mëdha nga fshati në qytet, akoma është më pak se 40 %. Numri mesatar i shtëpive për çdo fshat është 100-150, fshati më i vogël sot është me 20-30 shtëpi, por ka fshatra me 300-350 shtëpi siç janë Pocesti, Dohoshishti, Brezhdani, Ushtelenxa e të tjerë.
Qarku i Dibrës, rezervat tokësore |
(Ha) |
Total |
Pyje |
Kullota |
Toke Bujqesore |
Boshe |
Te tjera |
Qarku i Dibrës |
234.600
(100%) |
117.700
(50%) |
30.200
(13%) |
36.600
(16%) |
42.600
(18%) |
7.500
(3%) |
Të dhënat e mësipërme janë për të gjitha burimet pyjore dhe kullosore, kjo përfshin dhe pyjet dhe kullotat komunale të dhëna në pronësi e përdorim. Të dhënat totale për pyjet dhe kullotat komunale janë përkatësisht 70.020 ha (60% e pyjeve) dhe 13.100 ha (43% e kullotave).
Paraqitëm këto tabela për të parë raportin e ngarkesës për njësi të sipërfaqes së tokës së bukës dhe asaj pyjore që është (1:0.18 dhe 1:1.2). Raporti është mjaft kritik në përgjithësi dhe në veçanti për komunat që kanë 8-12,000 banorë si Tomini, Kastrioti, Klosi, Maqellara me nje sipërfaqe 2-4,000 ha me pyje krejtësisht të mbipërdorura ndër vite.
Kjo situatë njihej shumë mirë nga studjues me shumë përvojë nga terreni të cilët ideuan dhe zbatuan projektin e parë të pyjeve në Shqipëri nga viti 1996-2002. Reforma nisi në vitin 1996 (bazuar në ligjin e pyjeve të vitit 1992 që njihte pyjet komunale si dhe të drejtën e çdo familjeje për të përdorur 0.4-1 hektar pyll), kur shteti filloi të mbështesë transferimin e pyjeve dhe kullotave në komuna, bazuar në traditën e hershme të malësorëve.
Në vitin 2002, kur projekti i pyjeve komunalë përfundoi, fitoi medaljen e artë në komponentin e pyjeve komunalë . Arsyet janë të shumta, por më të rëndësishmet janë:
Projekti zhvilloi reformën për pronën drejt tradicionales
Krijoi struktura te reja per kujdesin per pyjet me te degraduara dhe me erozion
Vetëm në Dibër mbi 20,000 vetë u kujdesën dhe rehabilituan mbi 15,000 ha pyje dushku, gështenje dhe ahu. Në vitin 2008, shteti shqiptar vazhdoi reformën duke transferuar 60 % të tokës pyjore në pronësi të NjQV si dhe mbështeti me një paketë tjetër investimesh prej 19.7 milion Euro zhvillimin e reformave decentralizuese (ligjore dhe institucionale) si dhe për të arritur menaxhim të qëndrueshëm burimeve natyrore (uljen e degradimit të tokës, përmirësimin e menaxhimit të ujit, mbrojtjen e biodiversitetit dhe fuqizimin e menaxhimit të këtyre burimeve nga sektori publik në 218 komuna).
Pak komente për pronarët e pyjeve në Europë
Pronësia e tokës pyjore në Evropë është e shpërndarë pothuaj ne menyre te barabartë ndermjet pronareve shtetërore dhe privatë.Pjesën më të madhe te tokes pyjore e kane pronaret privatë, p.sh, në Finlande 64%, në Suedi 51%. Në Evropën Qendrore, në Zvicër ,Gjermani, Austri, në pjesën më të madhe të Italisë Veriore, pyjet privatë janë forma më e rëndësishme e pronësisë. Zvicra psh, pyjet më të mëdha i ka në pronësi të komunitetit.
Menaxhimi privat i tokës ka forma të ndryshme në vende të ndryshme të Europës Qëndrore e Lindore si p.sh, pronësi private, pyje të kooperativave, pyje të fermerëve, shoqëri aksionere dhe shoqëri me kapital të përbashkët. Në Europën Perëndimore (Hollandë, Belgjikë, Irlandë dhe në perëndim të Francës, vihen re dy rryma zhvillimi;
-Rritja e numrit të pronarëve të pyjeve që dëshirojnë të menaxhojnë tokat e tyre kryesisht për rekreacion.
Përveç individëve privatë, pronësia për organizata të veçanta mjedisore si dhe për struktura shoqatash të organizuara në Federate, është një mënyrë tipike e administrimit në rajonet urbane të Hollandës. ”Ndër shekuj pyjet i kanë përdorur njerëzit dhe prandaj u takojnë atyre”, thotë specialisti Peter Herbes, ekspert pyjesh ne Austri. Më poshtë ai shton: ” Kjo nuk ka ndodhur rastësisht në Austri. Kur shteti në vitin 1848 nuk u njohu me ligj fshatarëve të drejtën e pronësisë mbi pyjet, kullotat e livadhet, ata bënë revolucion deri sa arritën jo vetëm t`u njihet e drejta e pronësisë, por edhe të bëhej regjistrimi në kadastër” (1871). Sot Austria ka 3.96 milion ha pyje ose 47. 5 e teritorit (çdo banor 0.6 ha)
Ligjërisht njihen tre forma të pronësisë: Pyje privatë, pyje të fermerëve dhe pyje shtetërorë. Aktualisht vetëm 15% e teritorit të pyjeve janë në pronësi të shtetit.
Ka vetëm një Ministri ( PYJE, BUJQESI, UJRA, MJEDIS). Zyra në nivel rrethi ( 9 rajone , 180 rrethe ) përfshihen në zbatim të ligjit.
Permendëm vetëm pak nga argumentat për reformat dhe nevojen e përfshirjes së njerëzve në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Roli i Shoqatave dhe Federatave te PKKomunal në procesin e reformave
Tanimë janë mbi 200 shoqata të përdoruesve të pyjeve në nivel kombëtar dhe këto kanë mision të rëndësishëm për edukimin mjedisor dhe përdorimin në mënyrë të qëndrueshme të pyjeve. Këto shoqata në nivel rajonesh janë organizuar në Federata deri tani në 8 qarqe te Shqiperisë. Misioni kryesor i Federatave është mbështetja me trajnime dhe asistence teknike për të rritur kapacitetin e Shoqatave dhe të komunave për të mbrojtur të drejtat e pronësisë dhe të drejtat për përdorimin e pronës. Në nivel kombëtar është krijuar dhe Shoqata Kombëtare që ka rol koordinues dhe këshillues për të gjithë nivelet dhe strukturat në pyjet komunale. Vetëm gjatë viteve 2003-2008, bazuar në përvojën e krijuar dhe në nevojat e ardhura nga 50,000 njerëz (përfshirë këtu Kom. Fshatrave, Shoqatat, Komunat dhe komunitetet rurale) në 8 qarqe janë bërë 5 rezoluta që u janë paraqitur niveleve të vendim-marrjes për zhvillimin e reformave për pronat dhe përmirësimin e akteve ligjore bazuar në Kushtetutë, Konventa të ratifikuara dhe nevojës për t`u integruar në BE. Në këtë proces kemi patur dhe mbështetjen dhe asistencën e Bankës Botërore, Qeverisë Suedeze, Federatës Europiane të Pyjeve, Organizatës Suedeze për Zhvillim-SNV, Koalicionit Ndërkombëtar të Tokës, SOROS.
Fakulteti i pyjeve duhet të zhvillojë reforma dhe të ndërtojë modele
Gjatë vitit 2008 kemi marrë pjesë në disa takime të përbashkëta për të kontribuar në përmirësimin e akteve ligjore. Kemi zhvilluar dhe kemi marre pjesë në seminare dhe analiza ligjore ku kanë qënë të pranishëm edhe profesorë të Fakultetit të Pyjeve prandaj na çudit fakti që disa profesorë të nderuar shprehin alternativa dhe politika që nuk bazohen në situatën dhe praktikën reale dhe as në përvojën më të përparuar botërore. Në fundvitin e kaluar, kur dekani i Fakultetit të Pyjeve ishte në Dibër për të demostruar një sipërfaqe prove në ngastrat e karbonit, ne i ftuam profesorët të vijnë në terren dhe të shikojnë modelet e ndërtuara nga vetë komuniteti nga Kalaja e Dodës e deri në Ulëz dhe të vlerësojnë kontributet që njerëzit kanë dhënë duke mbrojtur pyjet në zbatim të reformës .(Kjo ftesë është e hapur çdo kohë e për të gjithë). Mendojmë se profesorati duhet të jetë në dijeni se në Shqipëri reformat janë zhvilluar dhe se roli i ndërmarrjeve (Ish Ndërmarrjet Pyjore) bazuar në Ligjin e vitit 1992 dhe në strategjinë e hartuar nga shteti shqiptar, janë shndrruar në shërbim për pyjet pavarësisht nga e drejta e pronësisë dhe e përdorimit. Ky shërbim prej 8 vitesh ka qenë, është dhe duhet të jetë i ligjshëm, kurse profesori thotë është i paligjshem vetëm tani në 2009. A duhet t`ua shpjegonte studentëve këtë shërbim për 8 vjet ndërkohë që ai e quan të paligjshëm?
Natyrisht ne vijmë nga një sistem i centralizuar dhe të gjithë jemi të ndikuar nga teoria e praktikat e aplikuara ndër vite, por vendet e zhvilluara tanimë na prezantojnë disa rregulla e ligje që kërkojnë ndryshime themelore në të drejtat dhe detyrimet për qytetarët e një shoqërie që do të integrohet në Europë dhe në këtë kuptim, profesorët e nderuar duhet të jenë ndër të parët që duhet t`u referohen për të aplikuar modele që përmirësojnë menaxhimin e integruar të burimeve natyrore në Shqipëri, ashtu siç po ju referohen shoqatat, Federatat rajonale dhe kombetare. Për dijeni, vetëm gjatë viteve 2003-2009 janë krijuar mbi 20 modele të pyjeve të fermerëve me lloje të ndryshme si dhe janë trajnuar për menaxhimin e pyjeve mbi 10,000 njerëz në 32 Shoqata e NJQV vetëm në Qarkun e Dibrës, pa përmendur përvojën për menaxhimin tradicional që përdoret në shumë fshatra, komuna e rrethe të Shqipërisë. Këto modele menaxhimi është e nevojshme t`i shohësh, t`i analizosh dhe prej tyre të nxjerrësh mësime .
Bazuar mbi arritjet e deritanishme, mendimet e profesorit të nderuar për një sistem të mbyllur janë jo vetëm të gabuara, por dhe të dëmshme pasi nuk ndihmojnë mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve .
Në shtetin e centralizuar të së kaluarës, politikat e gabuara shpesh kishin rrjedhojë ndërhyrje të gabuara në pyje, diku prerje të detyrueshme me sloganin”të sigurojmë bukën në vend”, diku me kullota të detyrueshme. Për rrjedhojë , masivet e dushkut në vitet 1990 ishin shpesh dhe pa cungje dhe erozioni mori përmasa të jashtëzakonshme. Por në të gjitha rastet, si dje, edhe sot, veçanërisht sot, njerëzit që punojnë në pyje janë të parët sepse nga njerëzit varet cilësia e ndërhyrjeve në pyje, qoftë për prerje, apo dhe për kullotje me bagëti. Përfshirja dhe trajnimi i njerëzve është tejet i rëndësishëm për vetë numrin relativisht të madh që ndikon, ndërkohë, edhe vetë studentët që mbarojnë fakultetin dhe që pa diskutim marrin dije të rëndësishme, duhet të udhëheqin por dhe kanë ç`të mësojnë nga kjo armatë të kualifikuarish në terren.
Të nderuar profesorë! Çdo mendim ndryshe në një shoqëri pluraliste, ka vlerat e veta, por duke lexuar opinionet e shkrimeve të fundit në gazeten “Shekulli” dhe në një shkrim të fundvitit të kaluar, sinqerisht ju themi me dashamirësi se ju akoma nuk e dini si janë katandisur pyjet në Shqipëri dhe për rrjedhojë nuk po reagoni drejt dhe mbi bazën e përvojave për të përmirësuar gjendjen e tyre.
Të nderuar profesorë! Për 15 vjet, edhe pse në Shqipëri pyjet dhe kullotat shfrytëzohen 3 herë më shumë se kapaciteti i tyre, nuk zhvilluat asnjë protestë, nuk udhëhoqët asnjë model në terren, nuk na dhatë asnjë shpresë. Teoritë tuaja është mirë t`i ballafaqoni në terren, të shikoni sa larg janë me modelet e menaxhimit pyjor që tashmë kanë marrë udhë e janë shumë rezultativë. I nderuar profesor! Në shkrimin tuaj Ju flisni në teori për aplikimin e silvikulturës dhe të silvikulturës ekonomike, por nuk modeloni e nuk zbatoni me nxënësit dhe as nuk këshilloni për publikun e gjerë çfarë silvikulture të zbatojnë, pse dhe cilat janë avantazhet.
Në Shqipëri janë të evidentuar rreth 1,200,000 përdorues të pyjeve dhe kullotave që janë të interesuar të gjejne forma të reja të menaxhimit për të siguruar produkte të vazhdueshme të pyllit për nevojat e vazhdueshme të njerëzve, por gjithmonë duke e përdorur pyllin në mënyrë të qëndrueshme. Në Shqipëri, mohimi i të drejtës së pronësisë, përdorimi spontan dhe varfëria janë ndër shkaqet kryesore që pyjet janë dhe vazhdojnë të dëmtohen pafundësisht.
Bashkarisht duhet të synojmë që domosdoshmëria e mbrojtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve të kuptohen nga njerëzit dhe veçanërisht nga brezi i ri. “...nëse kjo ide arrin të futet në zemrat e njerëzve dhe me pas kthehet në veprime të kujdesshme, në të mirë të natyrës, që po u përdor nga njerëz të ditur, shndrrohet në pasurinë më të madhe për kombin tonë”.(H Kola)
Në kuadrin e diskutimeve që shpesh kemi bërë për ndryshimet ligjore, shumë nga pedagogët e fakultetit tuaj janë shprehur alternativa, por ajo që do të ishte shumë e prekshme dhe e matshme është të filloni të udhëhiqni studentët tuaj në krijimin e pyjeve të fakultetit dhe te krijoni modelet e menaxhimit të qëndrueshëm jo vetëm për studentët, por dhe për qytetarët. Të paktën të përpiqeni të veproni siç vepron çdo fakultet në botë.
Të përpiqeni dhe të sugjeroni dhe të argumentoni me studime dhe analiza për qeveritë, alternativa të reja për zëvendësimin e lëndës drurit dhe druve të zjarrit deri në momentin që të sigurojmë minimalisht balancën midis prerjes dhe rritjes.
Krahas kësaj ne bashkarisht duhet t`i sugjerojme vendimmarrjes politika qeverisese jo duke përjashtuar, por duke përfshirë të gjitha shtresat të thonë fjalën e tyre dhe kur bëhen strategji, dhe kur hartohen ligje e regullore dhe pse jo, dhe kur ndërtohen projekte zhvillimi për pyjet, kullotat dhe të gjithe mjedisin. Ne do t`ju sugjeronim të bashkoheni me ne në rrugën e vështirë për të përballuar sfidat, sepse gjithmonë sfidat përballohen nga njerëzit dhe mendojmë se sa më shumë të jemi bashkë, aq më lehtë i përballojmë ato.
Bashkëpunimi nuk është i nevojshëm vetëm për pyjet, por edhe për faunën. Disa shoqata mjedisore, të mbledhura para disa kohësh në Dibër, shprehën idenë që për një periudhe 2-3-vjeçare te ndalohej çdo lloje gjuetie në Shqipëri për faktin se ka paksime deri dhe rrezik zhdukjeje për shumë lloje të kafshëve dhe shpendëve të egra. Kjo nismë jo vetëm nuk u publikua, por nuk u përkrah as nga organizatat qeveritare që paguhen për të mbrojtur faunën. Në kemi lexuar vazhdimisht shkrimet dhe studimet tuaja, i nderuar profesor, edhe ata për faunën, dhe për politikat, dhe për qeverisjen dhe....,sinqerisht nuk kuptojmë çfarë alternative jepni për resurset? Çfare roli kanë aktorët në një shoqëri të hapur demokratike? Psh, po marrim gjuetinë... Sipas mendimit tuaj( cili është ky mendim?!!),kush duhet ta menaxhojë ? Kush duhet ta vjelë? Kush duhet të bëjë politikat? Kush duhet të monitorojë?Kush duhet mbikqyrë ? Në të gjithë botën në të cilën duam të integrohemi, këto role janë të qarta në Ligj, prandaj secili aktor luan rolin e vet që do të thotë: shoqata bën menaxhimin, pushteti vendor bën monitorimin, shërbimi pyjor, si organ i specializuar, ben këshillimin dhe kontrollin e zbatimit të ligjit, Ministria me DPPK dhe Fakultetin e Institute të tjera bëjnë politika dhe Qeveria merr vendime e propozon ligje. Analizoni ligjin e Faunës në Shqipëri. Kush është pronari, kush jep lejet, kush vjel tarifat, kush bën menaxhimin, kush bën kontrollin, kush bën monitorimin? Përgjigjia është vetëm një: askush... Shihni çfarë informaliteteti ka në gjueti? Nga 14,000 anëtarë që ishin të licensuar në vitin 2007, në vitin 2009 nuk ka akoma as 8,000 të pajisur me leje ndërkohë që 90 a 100 mijë armë janë në përdorim?
Çfare propozoni ju profesore ? Ç`duhet bere? Profesor, në mënyrë figurative pyetja është “ ku fle lepuri ...?” Dhe po në mënyrë figurative , sipas disa gjuetarëve me përvojë, habitati më i përshtatshëm është pylli i lartë i ahut, ai i dushkut dhe pyjet e përziera, por shpesh ndeshet dhe në zonat me shkurre, ”ngandonjëherë, shkurrja e vogël ka lepurin e madh”.
Rolet, detyrat dhe përgjegjësitë përcaktohen në Ligje, por a janë ato të qarta për JU ?...
Ne mendojmë se Fakulteti është një institucion i rëndësishëm i dijes, por këto dije duhet t`i shërbejnë krijimit të një realiteti të përparuar, prandaj ju dhe studentët tuaj mund dhe duhet të jeni nismëtarë dhe mbështetës të proceseve që ndikojnë orientimin dhe hartimin e politikave që përmirësojnë qeverisjen e burimeve natyrore në të gjitha nivelet. Fakulteti vetëm do të fitojë në se u bashkohet nismave që vijnë nga SHC e cila në këto 10-15 vjet ka qënë shumë aktive për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve veçanërisht në rajonet e Korçës, Elbasanit,,Kukësit, Dibrës.
Ne mendojmë se Ju dhe e gjithë shoqëria duhet të inkurajoni, nxisni, por dhe të impononi qeverisjen që, në kuadrin e politikave për decentralizimin e qeverisjes së pasurive natyrore, të legalizojë informalitetin për të mundësuar integrimin në BE.
Pse është i rëndësishëm procesi i kalimit dhe mbarështrimit te pyjeve e kullotave komunale nga komuna/fshati e familjet bujqësore ?
Duke iu referuar Kushtetutës sonë, Protokollit të Kiotos të cilit edhe ju i referoheni, Konventës së Aarhusit, Kartës së autonomisë lokale, por dhe shumë akteve ligjore të shtetit shqiptar, rezulton se shumë të drejta të Komunave dhe komuniteteve jane shkelur. Ne jemi të vonuar për të çuar pronat te i zoti dhe për të përfshirë njerëzit në vendime dhe strategji që këto prona pastaj të menaxhohen siç duhet, bazuar dhe në përvojat e vendeve të zhvilluara si Austria, Hollanda, Suedia, etj
Familjet bujqësore janë mbi 64% në Qarkun e Dibrës dhe mbi 70 % e tyre janë të punësuar në aktivitetin bujqësor. Këto familje kanë përfitime ekonomike nga prodhimet drusore e jo drusore, sigurojnë ushqim për blegtorinë, pra sigurojnë të ardhura për jetesë dhe prandaj janë të interesur për ruajtjen e përmirësimin e pyjeve e kullotave të tyre. Dihet që fshatarët kanë qenë historikisht zotëruesit e pyjeve rreth fshatrave në mënyrë informale dhe legalizimi i këtyre pronave sjell kujdes dhe rritje të përgjegjësisë por mbrojtje dhe menaxhim.
Komunat, në rastet kur kanë marrë në pronësi pyjet e kullotat, kanë më shumë të drejta dhe përgjegjësi në këto vlera të pazevendësueshme sepse kanë mundësi më të mëdha për të zhvilluar aktivitete ekonomike që lidhen me pyjet dhe kullotat dhe mundësi për të kryer ndaj banorëve më shumë shërbime që rrjedhin nga pronësia
Shërbimi pyjor në një farë mënyrë lehtësohet në detyrën e tij sepse aktorët e tjerë marrin detyra për mbrojtjen e pyjeve dhe kullotave që marrin në pronësi ose në përdorim.
Përfitues është e gjithë shoqëria sepse përmirësimi i pyjeve ndikon në përmirësimin e mjedisit, në mbrojtjen e tokës nga erozioni, me një kosto më të ulët dhe më shpejt.
A duhet të vazhdojë reforma në pyje?
Duke qenë pjesë e reformës së tokës, fshatarët menduan se shteti po u plotësonte fermën bujqësore duke u dhënë pasurinë e tyre, prandaj vazhduan t`i mbrojnë pyjet sipas kufijve të vjetër tradicionalë.
Pas 20 vjetësh ndarje nga sistemi i centralizuar, privatizimi i tokës është bërë vetëm për tokën bujqësore që ndodhet në fushë ndërsa toka e malësorëve në veri e jug historikisht e qeverisur prej tyre, që përbëhet kryesisht nga pyjet e kullotat, ka mbetur pronë shtetërore ose “mall pa zot“ . Për rrjedhojë, sipërfaqe të mëdha të pyjeve në mbarë vendin janë prere, djegur e shkatërruar. Verilindja dhe veriu janë të varfër pasi fshatarëve u është mohuar padrejtësisht privatizimi i tokës së tyre vetëm se sipas përdorimit aktual të saj, ajo quhet pyll. Kjo ka çuar në një diferencim social të padrejtë pasi është realizuar privatizimi i tokës vetëm në zonat fushore
- Në Shqiperi pritet 3 herë më tepër material drusor se mundësia e shfrytëzimit.
- Nga 2 milion m3 që priten në vit, shteti shet më pak se 200 mijë m3, e gjithë pjesa tjetër pritet ilegalisht, që do të thotë se shteti kontrollon më pak se 10% të prerjeve.
- Tendenca e prerjeve ilegale është në rritje.
- Shqipëria humbet për cdo vit 60 milion m/3 tokë nga erozioni, shkatërrohen rrugë, përmbyten fusha, mbushen me baltë rezervuaret e ujitjes dhe të hidrocentraleve.
- Me mijëra hektarë kullota digjen vetëm se kanë mbetur mall pa zot.
Rruga për administrim të qëndrueshëm është të mbështeten komunitetet që jetojnë tradicionalisht me të ardhurat nga pylli. Në këtë sfidë të rëndësishme të transformimit të pyllit nga pronë e askujt, në pronë të atyre që historikisht e kanë përdorur, ashtu siç po asistojnë Banka Botërore, Qeveria Suedeze, Federata Europiane e Pyjeve, Organizata Suedeze per Zhvillim SNV, Koalicioni Nderkombetar i Tokes, SOROS, e kanë për detyrë së pari institucionet shtetërore, ministritë, që pyllit t`i japin rritjen që ia kanë dhënë klima e toka, por nuk ia ka lejuar padija njerëzore dhe t`i japin fund historisë së gjatë që nga koha e bizantit të përdorimit informal të burimeve tona natyrore.
Ne shpresojmë se do të vazhdohet kjo reformë aq e rëndësishme për të ardhmen e pyjeve dhe për të zbutur varfërinë e zhvilluar zonat rurale e për t`i bërë më të bukura e më tërheqëse për turizmin rajonet tona.
Federata e Pyjeve e Kullotave KOMUNAL QARKU DIBER Komento...
|
|